Reagimi i trajnerit Halim Abazi pas eventit të Federatës së Boksit në Veles.

Në eventin e tretë të organizuar nga Federata e Boksit të Maqedonisë që u zhvillua të dielën në Veles, trajneri i Boxclub Shkëndija No Limit, Halim Abazi, ka shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimet e tij lidhur me gjykimin gjatë ndeshjeve, duke ngritur akuza serioze për padrejtësi dhe qasje të njëanshme nga ana e gjyqtarëve.
Sipas Abazit, nga gjithsej dhjetë meçet e zhvilluara, pesë prej tyre u zhvilluan nga boksierët e klubit që ai drejton, por pavarësisht përgatitjes dhe angazhimit të sportistëve të tij, rezultatet nuk reflektonin realisht atë që ndodhte në ring. Ai theksoi veçanërisht rastin e boksierit të ri, Raison Krasniqi, për të cilin pretendon se dominoi në çdo raund, por sipas tij, iu mohua fitorja për shkak të paragjykimeve.
“Po përsëritet gjithmonë e njëjta histori. Nëse ke emër shqiptar, nuk ka vend për fitore, edhe kur e meriton me gjithë zemër,” shprehet ndër të tjera Abazi, duke shtuar se vendimet e gjyqtarëve, të cilët i cilëson si të njëanshëm dhe të mbushur me paragjykime, po dëmtojnë seriozisht besimin në garat sportive dhe motivimin e boksierëve.
Si reagim ndaj kësaj situate, Abazi bën të ditur se klubi i tij ndjehet i detyruar të tërheqë boksierët nga pjesëmarrja në organizimet e Federatës, pavarësisht se aktualisht janë në krye të renditjes. “Nuk mund të pranojmë më padrejtësinë. Nuk është më sport. Nuk është më garë e drejtë,” shton ai.
Në përfundim të deklaratës së tij, Abazi kërkon ndërhyrje urgjente nga Federata për të reflektuar dhe për të garantuar një proces të drejtë e të ndershëm për të gjithë sportistët, duke apeluar që të vendosen standarde që respektojnë sportin, pa dallime.

