Piloti i Meklarenit Lando Norris ka fituar Çmimin e Madh të Singaporit, në garën e 18-të të Botërorit në Formula 1. Piloti anglez, ia doli të lërë pas tij dy rivalë, si Maks Verstapeni i Redbullit dhe shokun e skuadrës, Oskar Piastrin. Norris e nisi i pari garën, pasi kishte fituar “poll pozishën” në provat zyrtare. Piloti i Meklarenit, ia doli të ruajë kryesimin, pavarësisht presionit nga Verstapen, me holandezin që e mbylli i dyti, ndërsa Piastri plotësoi podiumin. Vetëm vendi i katërt për Xhorxh Rasëll të Mercedesit, që la pas tij, Leklerkin e Ferrarit dhe shokun e skuadrës, Luis Hamilton. Dhjetëshja e parë u plotësua nga Sainc i vendit të shtatë, Alonso i vendit të tetë, Hulkenberg i vendit të nëntë dhe Perez i dhjeti. Sa i përket renditjes së përgjithshme, vendi i parë vazhdon të mbahet nga Verstapen me 331 pikë, i ndjekur nga Norris me 279pikë dhe Leklerk me 245 pikë.


