Villarreali po punon që 3000 tifozë të “nëndetëses së verdhë” të jenë në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Champions League, që do të luhet të mërkurën më 27 në “Anfield” kundër Liverpoolit.

Kjo do të jetë edhe një nga lëvizjet më të mëdha të tifozëve në historinë e ekipit nga qyteti modest dhe i vogël i Castellón në Spanjë.
Klubi ka konfirmuar, se meqenëse ka 3000 ulëse në dispozicion për këtë takim, ka vendosur sot, që ditën e ndeshjes të organizojë një udhëtim masiv për tifozët dhe simpatizantët e saj me një çmim prej treqind eurosh, i cila pjesërisht do të subvencionohet nga klubi.
Anëtarët e klubit do të kenë përparësi kur të regjistrohen për të udhëtuar për në Liverpool, por klubi do të hapë gjithashtu mundësinë e udhëtimit edhe për tifozët e tjerë që duan të shoqërojnë Villarealin në këtë ‘aventurë’.
Të mërkurën e javës së ardhshme do të hapet periudha e regjistrimit për tifozët e Villarrealit dhe nga e premtja për jo-abonentët. Përveç kësaj, klubi do të nxjerrë në shitje edhe biletat teke, me çmimin prej gjashtëdhjetë euro për tifozët që dëshirojnë të ndjekin ndeshjen vetë.

