Vardari dhe Skopje për balotazh do të luajnë në Kavadar

Skopje është skuadra e Ligës së Parë, që do të luaj balotazhin për mbijetesë në elitën e futbollit vendor. Kjo u mësua vetëm dje, pasi “piratët” nga lagjja e Hekuranës pësuan disfatë të thellë 4:0 në udhëtim te Tikveshi në Kavadar, ndërsa në anën tjetër skuadra e Akademia Pandev barazoi në Shtip përballë Bregallnicës, duke siguruar mbijetesën një xhiro para mbylljes së sezonit.

Skopje, që sezonin aktual në mesin e më të mirëve do ta mbyll në pozitën e 10-të, në balotazh do të luaj me Vardarin, skuadër kjo që u rendit e treta në Ligën e Dytë, pas dy skuadrave shqiptare, Voska Sport dhe KF Gostivari.

Ndeshja midis dy skuadrave shkupjane me shumë gjasa do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Kavadar me fillim në ora 17:00. E njëjta është caktuar të zhvillohet me datë 21 maj, vetëm një ditë pas finales së madhe të Kupës së Maqedonisë midis Struga Trim Lum dhe Makedonija GJ.P.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close