Nesër do të zhvillohen ndeshjet e javës së 7-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së veriut. Pesë takime do të zhvillohen në terminin e zakonshëm, në orën 15.00, ndërsa një përballje është programuar për orën 20.00.

Kryendeshja e kësaj xhiroje do të diskutohet ndërmjet Gostivarit dhe Shkëndijës.
Një ditë para këtij takimi futbollisti i Shkëndijës, Vane Krstevski ka treguar respekt për ekipin e Gostivarit, teksa përcjell besim se mund të vazhdojnë serinë pozitive të fitoreve.
“Jemi të lumtur për fitoren 5:1 të Voskës, por kjo nuk na jep të drejtë të fluturojmë në re të them. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës, që na pret nesër me Gostivarin. Mendoj se Gostivari është vërtet ekip kualitativ, e kanë treguar në ndeshjet paraprake. Mirëpo qëllimi ynë është nesër të dalim dhe të luajmë sa më mirë që të mundemi, për ta ruajtur atë vend të parë dhe të vazhdojmë serinë pozitive që e kemi bërë në ndeshjet paraprake”, u shpreh Krstevski.
Përballja Gostivari – Shkëndija luhet të mërkurën me fillim në orën 15:00. /Sportmania/

