Turneu tradicional në futboll të vogël KF Reçica-Tv Koha, triumfon ”Thertore Nuro Kamjan”

Spektakël i paparë, 12 gola të shënuar, fillimisht ’monolog’ i njërës skuadër që avansoi 5:0 dhe u duk se finalja bëhej pa shumë histori, mirëpo me vetëm 10 minuta deri në fund pasoi rikthim senzacional i ekipit që dukej se deklasohet dhe fundi solli barazim fantastik 6:6. Pasi vazhdimi prej 5 minuta nuk solli ndryshim, fituesi do të vendosej me penalti ku fitoren e mori ekipi që u gjet në negativë prej 5 golave.

Kështu shkurtimisht mund të përshkruhet finalja e edicionit të 32-të të turneut tradicional në futboll të vogël KF Reçica-Tv Koha, e cila me emocionet dhe cilësinë e treguar pasqyroi në mënyrën më të mirë organizimin dhe punën e organizatorit KF Reçica.


Mbrëmjen e të dielës përfundoi turneu tradicional  në futboll të vogël Klubi futbollistik Reçica-Tv Koha. Në një sallë të stërmbushur me tifozë dhe me një lojë dramatike u zhvillua ndeshja finale në mes të ekipit ”Thertorja Nuro Kamjan” dhe “Banana Kick”. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me rezultat 6-6 ndërsa më të mirët në ekzekutimin e penalltive ishin futbollistët e ekipit ”Thertore Nuro Kamjan”, ekip i mbështetur nga kjo mishtore me pronarin Bujar Imeri. Ndërsa, vendi i tretë i takoi ekipit “Trilon rentacar”, i cili me rezultat 5-3 triumfoi ndaj ekipit “Sava Grup Bogovinë”. Pas përfundimit të ndeshjes finale, organizatorët ndanë edhe mirënjohje dhe çmimet për më të mirët. Me këtë rast, lojtar më i mirë u zgjodh Halil Selmanaj i ekipit Thertorja Nuro Kamjan. Portier më i mirë u zgjodh Ivan Stojanovski nga ekipi Banana Kick, kurse ekipi më Fer Play u zgjodh ekipi “Trilon rentacar”. Krahas kësaj, të dielën në sallën e sportit të shkollës fillore Përparimi  në Reçicë të Madhe u zhvillua edhe finalja e veteranëve në të cilën klubi futbollistik Bogovina, fitoi me rezultate 2-0 ekipin e klubit futbollistik Reçica. Tre ndeshjet e të dielës u transmetuan Live në ueb faqen e Televizionit Koha dhe në rrjetet sociale, kurse ndeshja finale u transmetua edhe në Televizionin Koha me komentim të gazetarit të sportit Faton Zylbehari.

Në këtë turne morrën pjesë 37 ekipe, në përbërje të të cilëve kishte dhe futbollist profesionist që luajnë në Reprezentacionet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në futsall. Vlen të theksohet se organizimi i këtij edicioni që ishte në nivel të lartë, e arsyeton traditën shumëvjeçare të këtij turneu që llogaritet si një nga turnetë më jetëzgjatë dhe më të mirë në futbolltë vogël dhe çdo vit shkon në rritje e sipër në aspektin e pjesëmarrjes së ekipeve dhe cilësisë. Këtë vit u zhvilluan 74 ndeshje ku u shënuan 505 gola.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close