Futbollisti 17 vjeçarë me prind nga Dobroshti i Tetovës ka firmosur kontratë me Lyngby Boldklub. Ai do të luajë me ekipin U19 te ekipi danez, ndërsa është anëtar edhe i përfaqësueses U17 të Maqedonisë së Veriut.

Një histori e bukur vjen nga Danimarka, ku jo rrallë herë talentët shqiptarë janë ngritur në nivelet më të larta të fushave të ndryshme. Sporti në përgjithësi, e futbolli në veçanti nuk janë përjashtim dhe si veprimtari numër një sigurisht se tërheq vëmendje të madhe. Pikërisht në këtë fushëveprim duket se po lind një futbollist cilësor. Me prindër nga Dobroshti i Tetovës, ndërsa me qëndrim e veprim në Kopenhagen të Danimarkës, i riu Abdullah Asllani qysh në moshë fëmijërore tregoi talent për futboll dhe u kyç te moshat e reja. Nga gjenerata në gjeneratë po dominonte me fizikun dhe paraqitjet e tij, duke kaluar hap pas hapi moshat e klubit ku gati se në çdo kategori mbante shiritin e kapitenit. Sot si 17 vjeç, shohim një futbollist goxha korpulent për moshën që ka dhe futbollist premtues që mbulon shkëlqyeshëm dy pozita, mbrojtës qendre dhe mesfushor defanziv.

Drejtuesit e Lyngby Boldklub vlerësojnë djaloshin dhe e lidhin me kontratë profesionale për dy vitet e ardhshme, kur pritet që derës së ekipit të parë ti trokasë përmes paraqitjeve te ekipi U19. Ka luajtur deri tani me Maqedoninë U17 dhe pritet edhe aty avansim, sepse vlerësimi që i jepet në Danimarkë po jep sinjale serioze.

Gjithsesi, dita e sotme është ditë feste për familjen Asllani. Shqiptarë që festojnë në Danimarkë, pa harruar prejardhjen dhe të kaluarën. Në firmosjen e kontratës së parë profesionale gëzimi dukej në sytë e çdo anëtari të familjes. Abdullahi me modesti vendosi që gjithë anëtarët të ishin pranë tij në këtë moment të veçantë. Ai nuk fsheh familjen, derisa kryeplaku i familjes Asllani, haxhi Azemi me lot në sy po përcillte këtë moment të nipit, derisa shprehja e vetme që mes lotve mund ta nxirte ishte: “Faleminderit Zot, e arrita edhe këtë moment!”
Moment vërtet i bukur që nxjerr në pah punën e madhe të deritashme të Abdullahut, por edhe familjes. Prandaj BRAVO meritojnë të gjithë në familjen Asllani. Bravo haxhi Azemit, babait Mahiut, çdo anëtari të familjes dhe vetë Abdullahut.
Por, ky është vetëm fillimi, e ardhmja do tregojë nëse Abdullah Asllani talentin dhe pritjet do t’i konvertojë në arritje kulmore në futbollin Evropian.


