Të enjten në stadiumin ”Todor Proeski” në Shkup do të zhvillohet dueli shqiptar me vlerën e inkuadrimit në grupet e UEFA Conference League ndërmjet Shkupit dhe Ballkanit. Dy takimet që do të përcaktojnë emrin e skuadrës që do të futet në fazën e grupeve do të zhvillohen në harkun kohor prej një jave dhe pauza në fundjavë është shumë e rëndësishme për dy ekipet.

Në këtë drejtim Shkupi i sheh ”hajrin” tërheqjes së Renovës nga garat në futbollin elitar të Maqedonisë së Veriut. Sigurisht këtu ka ndikim edhe fati, pasi falë shortit Shkupi përfiton fundjavë të lirë pikërisht në javën vendimtare para dueleve më të rëndësishme në historinë e klubit.
Shkupi të dielën në kuadër të xhiros së tretë në LPFMV duhej të përballet me Renovën. Mirëpo pasi xhepçishtasit vendosën mos garojnë, secila skuadër mbetet e lirë në xhiron që duhej të luajë kundër Renovës.
Kështu, pa ”detyra” në kampionat, FC Shkupi mbetet gjithë përqendrimin ta orientojë kah sfidat me Ballkanin e Suharekës, në kërkim të historisë dhe inkuadrimin në grupet e UEFA Conference League.

