Të mërkurën fillon etapë e re për Shkëndijën e Tetovës që zhvillon takimin e parë pas ndryshimeve në kryesi e menaxhmentin sportiv. Profesor Zamir Dika është president i ri, ndërsa pjesa sportive i është besuar Harun Hisës si drejtor dhe asistentët e tij Ibraim Osmani e Skender Jonuzi. Pikërisht ky i fundit pas shkarkimit të Artim Shaqirit udhëheq ekipin në seancat stërvitore dhe si rrjedhojë do të drejtojë Shkëndijën të mërkurën kundër Karaormanit në duelin e 1/16 së finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut. Kjo gjendje do të zgjasë deri në një vendim tjetër të kryesisë në aspekt të emërimit të trajnerit të ri. Kështu të paktën thuhet në postimin e klubit në faqen zyrtare.

“Në ndeshjet e radhës, e deri në emërimin e shefit të ri të stafit teknik, skuadrën kuqezi do ta drejtojë Skender Jonuzi, ndërsa si ndihmës trajnerë do të vazhdojnë edhe më tej të jenë Bekim Osmani dhe Burhan Emurllai”, thuhet në një pjesë të postimit të Shkëndijës ku paralajmërojnë ndeshjen e 1/16 së Kupës me Karaormanin në Strugë.

