Silvinjo: I kënaqur me 6 pikët, por kemi edhe 5 finale për ti luajtur

Kombëtarja shqiptare arriti të regjistrojë dy fitore në ndeshjet e kualifikueseve të Euro 2024 në qershor, duke mundur Moldavinë 2-0 në shtëpi dhe më pas triumfoi në transfertën e largët të Ishujve Faroe pas atij suksesi në shifrat 3-1.

Gjashtë pikë që e rendisin Shqipërinë në vendin e dytë të Grupit E, vetëm një pikë larg kreut ku ndodhet momentalisht Republika Çeke dhe plotësisht në garë për t’u kualifikuar në finalet e kompeticionet më të madh europian.

Sipas trajnerit të Kombëtares, Silvinjo ky është fryt i më shumë se katër muajve punë, që është bërë nga stafi teknik dhe nga skuadra për të përgatitur sa më mirë sfidat zyrtare, ndërkohë që konfirmon se tashmë ai i njeh më mirë lojtarët.

“Mund të flasim më mirë për katër muaj punë, por edhe për ndeshjen e parë me Poloninë. Më pas bëhet, jo thjesht më e lehtë, por sa herë që mblidhemi me lojtarët në grumbullim për 7 apo 10 ditë, bëhet më e lehtë për të punuar me ta, sepse ata i njohin tashmë praktikisht konceptet dhe idetë tona të futbollit. Njëkohësisht edhe ne si staf teknik i njohim më mirë lojtarët”, – thotë tekniku i kuqezinjve në një intervistë të dhënë për Fshf.org, teksa vlerëson paraqitjen e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit dhe thekson se fitoret janë plotësisht të merituara.

Për Silvinjon, impenjimi i treguar nga lojtarët dhe shpirti i garës që ata kanë shfaqur në fushë ka qenë në nivele maksimale.

“Mendoj se në dy ndeshjet e fundit kemi bërë një lojë të bukur, ishin dy sfida të ndryshme dhe të vështira. Moldavia është një skuadër e fortë fizikisht, e vendosur mirë në fushë, e përgatitur mirë. Në sulm ka lojtarë të fortë, por unë mendoj se ne e kemi menaxhuar shumë mirë ndeshjen dhe kemi merituar fitoren në të dyja sfidat. Më pas Ishujt Faroe ishte një transfertë shumë e vështirë, që nga udhëtimi, fusha me bar sintetik dhe në goditjet standarde viheshim në vështirësi.

Jam i kënaqur nga impenjimi, guximi i futbollistëve, të cilët luftuan në fushë, sepse më pas flitet që kemi luajtur mirë e kemi fituar, por edhe unë shoh shumë detaje të tjera, siç është rikuperimi i topit, shpirtin e garës se futbollistëve dhe zemrën e treguar në fushë mbi të gjitha në shtëpi në një stadium të mbushur me 20 mijë tifozë. Jam shumë i kënaqur në këtë aspekt”, – shton trajneri brazilian.

I pyetur nëse ka arritur t’ia imponojë plotësisht ekipit idetë dhe filozofinë e tij të lojës, Silvinjo shprehet se ky është një proces që kërkon kohë, ndërsa ka vlerësuar lojtarët, që sipas tij i kanë përqafuar menjëherë konceptet e duhura dhe janë përshtatur shumë shpejt me metodat e stafit teknik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close