Sulmuesi i Manchester Cityt Bernardo Silva thotë se ishte i sigurt që portieri Andriy Lunin do të lëvizte në ndonjërin krahë, prandaj edhe gjuajti në mesin e portës.

Portugezi humbi penalltinë ndaj Real Madridit, me Lunin që e lexoi si ‘libër’, e pastaj edhe e ndali goditjen e Mateo Kovacic për ta kualifikuar skuadrën madrilene në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Së fundmi, Silva ka komentuar këtë penallti të humbur duke treguar se dëshironte të gjuante i treti, ndërsa kishte shpresë që Lunin të kërcente në krahë të majtë ose djathtë.
“Kisha dy opsione, një ishte në krahë dhe tjetri në mes. Po prisja”.
“Doja të isha gjuajtësi i tretë i penalltisë për të parë se si po reagonte portieri në gjuajtjet e para”.
“Ai lëvizi pak para se të godisja prandaj mendova se ishte mirë të gjuaja në mes, 99 për qind të portierëve lëvizin në momente presione, por ai zgjodhi të qëndronte”, deklaroi Silva.
Portugezi ishte heroi i Cityt në fitoren e të shtunës ndaj Chelseas, duke e kualifikuar kampionin e Anglisë në finale të FA Cupit.
Përndryshe, City mund ta mbyllë këtë sezon me dy trofe pasi lufton për titullin e Premierligës, si dhe FA Cupin.

