Eliminim me krenari. Kështu mund të përshkruhet ndjenja e tetovarë, pasi Shkëndija të enjten ishte e pafat dhe pas penaltive i tha lamtumirë Europës në duelin me AIK-un e Suedisë.

Interesante është të shihet si reagojnë tifozët tetovarë, që në vend të dëshprimit ata shprehin krenari për skuadrën e tyre, ndërsa kur bëhet gati një dekadë prej kur kompania “Ecolog” mori drejtimin e klubit, mos arritja e futjes në grupe lidhet me zhvillimin e ndeshjeve jashta Tetovës, duke potencuar nevojën që stadiumi i qytetit në Tetovë të rinovohet me standarde për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Mes tjerëve, me një postim në murin e tij në facebook ka reaguar aktori i njohur tetovar, Hasim Memishi-Sopi, shkrimin e të cilit po u’a sjellim në tërësi:
“NUK E MERITOJMË SHKËNDIJËN!
Klubi i formuar me djersë dhe gjak, i formuar jo vetëm që të luaj futboll, por edhe si një pikë grumbulluese e të gjithë atyre që mendojnë kuq e zi!
Shkëndija që na bën krenarë vite me radhë, e që ne e çojm t’i luaj ndeshjet larg shtëpisë së saj!
Nuk e meritojmë këtë klub, pasi në tribunën “VIP” shohim politikanë që Shkëndijën e duan vetëm për të bërë politikë, apo për tu dëfryer kohë pas kohe; por të njejtit dekada të tëra nuk janë në gjendjen këtij klubi t’ia ndërtojnë folenë e vet!
Shkëndija njëherë u krahasua me Milanin, dje u krahasua me Stockholmin.
Me çfarë jemi krahasuar ne si shoqëri, në çdo aspekt të jetës!
Shkëndija ka luajtur me klubin e kryeqytetit të Suedisë, shtet ky që prodhon Volvon, kurse ne prodhojmë vetëm korrupsion, antivlerë dhe parregullsi, por nuk jemi në gjendje të ndërtojmë një stadium!
Nuk e meritojmë këtë klub, siç duket na vjen pak i madh; duhet të rritemi si popull që ky klub të na bëj tamam!
Shkëndijë na fal, nuk të duam aq sa e meriton!
🤐😧😧”, përfundon shkrimin e tij aktori tetovar, Hasim Memishi, i njohur si SOPI.

