Shkëndija me dedikim special pas vendimit të Alimit për tërheqjen nga futbolli 

Armend Alimi ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur. Këtë, mesfushori e komunikoi përmes një njoftimi në rrjetin e tij social, ku 38-vjeçari shprehu vlerësimet e tij më të mëdha për skuadrat me të cilat ka kaluar një pjesë të karrierës së tij, përfshi këtu edhe Shkëndijën e Tetovës që e cilësoi si shtëpinë e tij të dytë dhe klubin ku arriti sukseset më të mëdha në karrierë. 

Këta të fundit kanë reaguar pas lajmit, duke i përcjellë mesazhet përmes një komunikate zyrtare në faqen e tyre, ku shkruajnë se “Zizu” do të mbahet mend gjatë për 7 vitet e kaluara te kuqezinjtë.

Kujtojmë se fillimet e karrierës, Alimi i ka patur te klubi i Bashkimit (aty ku edhe e mbylli), ndërsa ka veshur edhe fanellën e FK Milano Kumanovo, NK Istras në Kroaci, Orebro SK në Suedi, Nea Salamis  dhe Ermis Aradippou në Qipro dhe Rabotnickit po në Maqedoni.

Sa i takon performancës në fushë, ai u paraqit në 463 ndeshje, shënoi 50 gola dhe kontribuoi me 69 asiste.

POSTIMI: 

“Pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme, futbollit aktiv i jep lamtumirën një nga figurat më të mëdha që ka veshur ndonjëherë fanellën kuqezi. 

Armend Alimi mbyll kapitullin e tij si lojtar aktiv, në një karrierë dinjitoze gjatë së cilës më shumë se 7 vite të kaluara te KF Shkëndija, duke qenë pjesë e 8 sezoneve të rëndësishme në historinë moderne të klubit.

I njohur si “Zizu” nga bashkëlojtarët, numri 5 i paharrueshëm i Shkëndijës ishte pjesë e gjeneratës së artë që shkroi historinë më të madhe të klubit. Ai kontribuoi në fitimin e 3 titujve kampion dhe 2 Kupave, duke qenë protagonist në sukseset më të mëdha vendore dhe duke lënë gjurmë të thella edhe në arenën evropiane, me paraqitje vendimtare në arritjen tre herë resht në play off të UEFA Europa League.

Si mesfushor me vizion, gol dhe karakter lideri, Alimi ishte për vite me radhë edhe kapiten i skuadrës, një figurë e respektuar brenda dhe jashtë fushës. Kumanovari që u bë simbol i Tetovës largohet nga fusha e gjelbër si një nga lojtarët më të dashur dhe më të suksesshëm në historinë e klubit tonë. 

Shkëndija e falënderon për gjithçka që dha për futbollin, për fanellën kuqezi, për profesionalizmin, përkushtimin dhe emocionet e paharrueshme.

Faleminderit, legjendë! Kuqezi përjetë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close