Shkëndija ka barazuar 1:1 me Mura-n e Sllovenisë

Kuqezinjtë kanë zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në Antalia të Turqisë, duke barazuar 1:1 me ish-kampionin e Sllovenisë, NK Mura. Shkëndija u shfaq shumë pozitive, mirëpo shkoi në pushim me negativë, derisa barazimin e solli Reshat Ramadani. Debutojnë Çinari, Qaka e Totre. 
Serinë e katër ndeshjeve kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore në Antalia të Turqisë e kemi nisur me barazim 1:1 përballë NK Mura nga Sllovenia. Një rival i njohur për kuqezinjtë me të cilët kemi luajtur në eliminatoret e UEFA Champions League në vitin 2021 dhe që për më shumë në formacion kanë ish-futbollistin tonë, Lear Sadriu si dhe reprezentuesin e Kosovës, Mirlind Daku. Takimi solli lojë të hapur e interesante, me shumë shanse shënimi, nga një gol për të dyja palët dhe debutim në fanellën kuqezi për Çinarin, Qakën e Totren. 
Shkëndija e nisi ndeshjen furishëm dhe me një presion të lartë fitonte shpejt topin, derisa në posedim dhe qarkullim ishim shumë konkret duke krijuar në harkun e 16-të minutave të paktën 4 mundësi shumë të mira për gol. Doriev e Hasani u kanosën në 5 minutat e para, por pa ndryshim, derisa në minutën e 13-të Shala vjedh një top dhe shërben Dorievin i cili fitoi shumë terren para se të asistojë drejt Milevit, mirëpo goditja e sulmuesit bullgar u ndal me shumë fat nga portieri i Murës, Raduha. Në minutën e 16-të kapiteni Hasani nuk arriti të sjellë ndryshimin nga gjuajtja e lirë, ndërsa fatkeqësisht goli do të vinte në anën tjetër në kansojen e parë më serioze të ish-kampionëve të Sllovenisë. Ishte minuta e 26-të kur Stijepoviq lëviz mirë në zonë dhe me një të majtë precize realizoi për epërsi 1:0 të Murës. Shkëndija provoi të përgjigjet, mirëpo deri në fund të pjesës së parë nuk pati ndryshim dhe pauza i gjeti ekipet me epërsi minimale të ekipit nga Sllovenia. 
Në fillim të pjesës së dytë dy trajnerët sollën më shumë ndryshime në formacion, derisa te kuqezinjtë bashkë me Caken e Muratin, minutat e parë në fanellën kuqezi i kishin Totre, Qaka e Çinari, ndërsa pak më vonë në lojë hyri edhe Cuculi. Shkëndija sërish ishte më kërkuese dhe në minutën e 53-të pak mungoi të barazojmë kur goditja e Totres shkoi pranë portës. Pak më vonë Çinari u gjet në shans të mirë, por u vonua në reagim dhe humbi mundësi të mirë. Në anën tjetër u desh një super reagim i Taleskit për të shpëtuar pranimin e golit të dytë, derisa Cake largoi topin mbi portë. Kuqezinjtë ishin më aktiv dhe kërkonin me insistim barazimin, dersa goditja e Muratit e pritur nga portieri kundërsharë sikur paralajmëroi golin e Shkëndijës. Pas një presioni të mirë në zonën kundërshtare, lëvizja e bukur e Hasanit provokoi lojë me dorë nga mbrojtësi i Murës dhe Shkëndija fitoi penalti të cilën në gol për barazim 1:1 e konvertoi Reshat Ramadani. Loja vazhdoi me mundësi në dy palët dhe sllovenët humbën dy shanse serioze, njëra prej të cilave përmes Mirlind Dakut, derisa 10-të minutat e fundit trajneri Osmani në lojë inkuadroi edhe Dashmir Elezin e Lorik Jakupin. Pikërisht Elezi për pak nuk solli golin e dytë kur e majta e tij shkoi fare skaj portës pas një shërbimi të bukur nga Doriev. Deri në fund nuk pati ndonjë ndryshim, kështu që takimi u mbyll me barazim 1:1 me dy trajnerët që patën mundësi shumë të mirë për të testuar formën momentale të futbollistëve të arritur nga pjesa e deritashme e fazës përgatitore.
SHKËNDIJA-MURA 1:1 (0:1)Terreni në Lara të Antalisë në TurqiGolashënues: R. Ramadani pen. 73’ (Shkëndija), ndërsa 26’ Stijepoviq (Mura)SHKËNDIJA: Taleski, Maksimov, Bejtullai, Dita, Velija, R. Ramadani, F. Ramadani, Shala, Hasani (c), Doriev, Milev. Luajtën edhe: Cake, Murati, Totre, Qaka, Çinari, Cuculi, Elezi, Jakupi dhe Hamza. Trajner: Qatip Osmani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close