Të dielën në Strumicë luhet derbi i xhiros së tretë në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, kur Akademia Pandevi pret Shkëndijën e Tetovës. Pasi barazuan me Sileksin 1:1 dhe mundën Skopjen 2:0 në takimet si ”vendas” në Strugë ku tetovarët vuajtën pezullimin e zhvillimit të dy ndeshjeve jashta Tetovës, tashmë kuqezinjtë janë para transfertës së parë dhe dueli me Akademia Pandevin do të japë përgjigjen nëse Shkëndija do të mund të mbajë ritmin e ndeshjeve pozitive në këtë fillim sezoni.

“Ndeshjet e para të sezonit janë më të vështira sepse nga këto ndeshje duhet patjetër të mblidhen sa më shumë pikë. Edhe përkundër lodhjes nga orari i ngjeshur, në Strumicë udhëtojmë me motivacion të lartë dhe me të vetmin synim marrjen e tre pikëve. Akademia Pandev vitin e kaluar e dëshmoi se është një kundërshtar i fortë, por besoj se nëse e japim maksimumin në çdo pjesë të fushës rezultati nuk do të mungojë dhe nga Strumica do të kthehemi me fitore”, është shprehur sulmuesi anësorë i Shkëndijës, Adenis Shala.
Dueli Akademia Pandev-Shkëndija luhet të dielën në Strumicë me fillim në orën 17:00.

