Ish-mbrojtësi i Shkëndijës, Shkupit, Tiranës, Vllaznisë e disa skuadrave tjera, tashmë ka hyrë në ujëra tjera, duke dalë kampion me gjeneratën U15 të Shkupit.


Një ndër mbrojtësit më të mirë të vendit në dekadën e fundit, e ka nisur mbarë karrierën pas futbollit aktiv. I tërhequr profesionalisht kohë më parë edhe pse akoma vazhdon luan në nivel amator, Sedat Berisha ka lënë pas një vit të shkëlqyeshëm si trajner. Tashmë thuajse i pajisur me Licencë B të UEFA-së për trajner (vetëm disa detaje e ndajnë nga marria e licencës), Berisha në fundjavë fitoi titullin kampion me gjeneratë U15 të Shkupit. Sezon i shkëlqyeshëm pa disfatë nën drejtimin e Sedat Berishës për këtë gjeneratë të Shkupit që fiton vendin e parë me 52 pikë dhe efekt prej 96 golave të shënuar dhe vetëm 12 të pranuar. Prej kur Berisha mori drejtimin, ekipi kishte seri prej 17 fitoreve dhe vetëm një barazimi, pa njohur shijen e humbjes.
“Sigurisht se jam shumë i lumtur për mënyrën si shkoi ky sezon. Kemi dominuar ligën në kategorinë tonë dhe çunat vërtet kanë treguar performansa shumë të mira. Unë jam i ri në këtë profesion dhe ky epilog më motivon të punoj akoma më shumë. Besoj këta djem që fituan titullin të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe fitorja e vërtetë do të jetë kur do t’i shofim të luajnë në kategori të seniorëve”, shprehet për Sportmania trajneri Sedat Berisha.


