Trajneri i Kombëtares shqiptare Edy Reja ka dhënë një intervistë për gazetën italiane Il Messaggero dhe ndër temat e ndryshme ka folur edhe për Romën e José Mourinhos dhe finalen e Conference League që do të luhet në Tiranë më datë 25 maj.

“E vërteta është se askush nuk e priste këtë bum të Conference League. UEFA po mendonte për një sezon eksperimental, por interesi është shtuar me kalimin e muajve dhe tani ja ku është kjo ndeshje mes dy skuadrave të mëdha. Roma-Feyenoord lehtë mund të jetë finalja e Europa League.”
Tekniku 76-vjeçar foli edhe për ndikimin që ka patur ardhja e Jose Mourinhos në stolin e Romës.
Karrierën më të lavdishme trajneri e ka kaluar te Lazio në sezonet 2010-2014, por këtë herë Reja do të bëjë tifo për Romën duke dhënë parashikimin e tij.
“Mourinho është një trajner i rëndësishëm në 20 vitet e fundit të futbollit botëror. Sezonet e fundit nuk kanë qenë të shkëlqyera, por Romën e ka ndryshuar. Në këto raste është gjithmonë 50 me 50. Unë do të bëj tifo për Romën.”

