Pep Guardiola ka deklaruar se performanca e Niko Gonzalez ndaj Njukasëllit ka treguar se blerja e re e Man. Sitit mund të jetë një ‘mini-Rodri’. Siti iu rikthye fitoreve pasi mposhti Njukasëllin me rezultat 4-0 falë një het-triku të shënuar nga Omar Marmoush brenda 15 minutave. Një gol i Xhejms Mekatti ishte qershia mbi tortë për nikoqirët të cilët tashmë janë bërë pjesë e top katërshes pas disfatës që pësoi Çellsi ndaj Brajtonit.

Teksa golat e Marmoush mund të kenë ‘rrëmbyer’ titujt e gazetave, ishte performanca e Gonzalez ajo që i la më së shumti përshtypje Pep Guardiolës.
I transferuar nga Porto për 50 milionë euro në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, Gonzalez pati një ndikim të menjëhershëm në mesfushën e Sitit përkrah Ilkaj Gundogan.
Spanjolli Guardiola beson se 23-vjeçari mund të jetë zëvendësuesi ideal për Rodrin mungesa e të cilit ka ndikuar tek ambiciet e Sitit këtë sezon.
“Mendoj se prezenca e Nikos na ka ndihmuar shumë, sepse nga 10 topat që ishin 50-50, ai fiton shtatë dhe pastaj ju mund të vraponi. Kur i humbisni shtatë, ata do të vrapojnë. E kam ndjenjën se klubi ka sjellë një lojtar të jashtëzakonshëm për të ardhmen, në aspektin e mendësisë. Ai është shumë i ri, vetëm 23-vjeçar mos harroni, sikur një mini-Rodri. Ky është një komplimenti madh, por është kjo ndjenjë për prezencën e tij të madhe, duelet”, ka thënë Guardiola.

