Ngjarjet e sotme në ndeshjen e Ligës së Dytë ndërmjet Pobedës dhe Shkëndijës së Haraçinës kanë shkaktuar reagime të forta nga klubi mysafir, pas incidenteve të rënda që ndodhën në tribuna dhe rreth fushës së stadiumit në Prilep.
Në një reagim zyrtar, KF Shkëndija 77 ka dënuar ashpër fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e papranueshme që, sipas klubit, “nuk i ngjajnë aspak frymës sportive që futbolli duhet të përfaqësojë”.
“Skenat që u panë sot në stadiumin e Prilepit nuk i ngjajnë aspak futbollit dhe frymës sportive që ky sport duhet të përfaqësojë. Fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e shëmtuara nuk e ndihmojnë sportin, përkundrazi, ato e dëmtojnë imazhin e futbollit, klubit dhe vetë garës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e klubit.
Shkëndija kërkon nga Federata e Futbollit të Maqedonisë të ndërmarrë masa konkrete dhe të japë dënimet e merituara për organizatorët e ndeshjes, në mënyrë që incidente të tilla të mos përsëriten.
“Futbolli është lojë që bashkon – jo që ndan”, përmbyllet reagimi i klubit nga Haraçina.
