Ndeshja Pobeda – Shkëndija Haraçinë kishte edhe një pjesë të tretë.
Pas përfundimit të takimit ndodhi një incident skandaloz, kur një tifoz nga Prilepi thyen xhamin e dhomës së zhveshjes së mysafirëve, por pastaj u largua nga vendngjarja nga policia.
Si reagim ndaj ngjarjes, klubi i Pobeda-s publikoi një deklaratë zyrtare, duke thënë se incidenti është provokuar nga futbollistët mysafirë.
Sipas tyre, disa lojtarë të Shkëndijës së Haraçinës pas përfundimit të ndeshjes kanë hedhur shishe me ujë drejt tribunës ku ndodheshin tifozët vendas, çka ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të një pjese të tyre.
Deklarata e klubit Pobeda:
“Incident pas ndeshjes Pobeda – Shkëndija Haraçinë! Klubi i futbollit Pobeda nga Prilepi edhe një herë tregoi nivel të lartë organizimi gjatë zhvillimit të ndeshjes kundër ekipit të Shkëndijës Haraçinë, e cila u luajt në atmosferë të ndershme dhe sportive deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit.
Edhe pse ndeshja përfundoi pa probleme të mëdha në fushë, pas saj ndodhi një incident i shkaktuar nga provokimet e disa lojtarëve të skuadrës mysafire.
Sipas dëshmitarëve të pranishëm, drejt publikut vendas u hodhën shishe nga lojtarë dhe anëtarë të ekipit mysafir, gjë që shkaktoi reagim nga një pjesë e tifozëve të Prilepit.
Tifozët e Pobeda-s, të provokuar nga ky gjest, reaguan spontanisht, por situata u vu shpejt nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë të sigurimit, rendit dhe policisë.
Klubi thekson se ndeshja është organizuar sipas të gjitha standardeve dhe masave të sigurisë, dhe se incidenti ndodhi vetëm si pasojë e sjelljes së papërshtatshme të ekipit mysafir pas përfundimit të ndeshjes.
Pavarësisht përfundimit të pakëndshëm, klubi i Prilepit mbetet i përkushtuar ndaj frymës sportive, “fair-play”-t dhe respektit ndaj kundërshtarëve, me shpresë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në fushat e futbollit.”
Pritet tani reagimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe i Komisionit Disiplinor lidhur me këtë situatë.
