Me përmbylljen e xhiros së 9-të, futbolli elitar në Maqedoninë e Veriut ka mbyllur zyrtarisht rrethin e parë të garave nga gjithsej katër sa do të zhvillohen këtë edicion, duke qartësuar pozitat fillestare në tabelë.

Shkëndija e Tetovës e mbyll këtë fazë si kandidate kryesore dhe lidere e vetme, pasi treguan konsistencën më të lartë në fushë duke grumbulluar 20 pikë me një bilanc prej 6 fitoresh, 2 barazimesh dhe 1 humbjeje. Skuadra tetovare gëzon gjithashtu sulmin më efikas të kampionatit me 21 gola të shënuar.
Pas kuqezinjve, me nga 17 pikë vijojnë Struga T&L dhe Vardari që ndajnë pozitat dy dhe tre, të ndjekur nga Tikveshi i vendit të katërt me 16 pikë. Një ecuri mjaft pozitive në këtë rreth të parë regjistron edhe Shkëndija e Haraçinës, e cila si debutuese në elitë renditet në vendin e 5-të me 14 pikë (4 fitore, 2 barazime, 3 humbje), duke lënë pas vetes emra si Sileksi e Bregallnica që zënë pozitat 6 dhe 7 me nga 10 pikë, si dhe Arsimin në zonën e “Play-off”-it me 9 pikë.
Sa i përket zonës së rrezikuar, dy vendet e fundit mbeten për Skopjen me 3 pikë dhe Bashkimin e Kumanovës me 7 pikë, mirëpo vlen të theksohet se kumanovarët kanë dhënë sinjale të fortë jete në xhirot e fundit. Pas 5 disfatave të njëpasnjëshme në start të sezonit, Bashkimi ka arritur të reagojë me 2 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje në 4 ndeshjet e fundit, duke paralajmëruar një garë të hapur për mbijetesë në rrethin e dytë.

