Humbja 3:0 nga Shkupi në Strugë të dielën e shkuar ka sjellë pakënaqësi të madhe në mesin e tifozerisë së kampionëve në fuqi, derisa shumë komente ka pasur edhe në rrjetet sociale. Kritikat e shumta dhe numri i madh i komenteve kanë shtyrë të reagojë sulmuesin e FC Strugës, Marjan Radeski, i cili është futur vetë në listën e komentuesve.

“Lehtë është të komentohet kur nuk është mirë. Si ndodh deri vjet nuk kishte 100 komente me urime… Fusha e lërimit është e gjatë. Përshëndetje”, thotë Marjan Radeski në komentin e tij në faqen zyrtare të Strugës në Facebook.

Për hirë të vërtetës, edhe pse ka pasur reagime të ndryshme, komenti i Radeskit ka marrë shumë pëlqime, duke lënë të kuptohet se në një farë mënyrë ai merr rolin e liderit dhe nuk heziton të shfaqet publikisht me qëndrimin e tij për durim nga ana e publikut në këto momente të krizës së rezultateve që kanë kapluar dy herë kampionin e vendit.
Struga të mërkurën zhvillon ndeshjen e xhiros së 7-të kur ndeshet me fqiun e parë Voskën në Ohër.

