Trajneri tetovar Qatip Osmani është përfshirë në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e Partizanit të Tiranës, raportojnë mediat sportive në Shqipëri.

Sipas burimeve pranë klubit kryeqytetas, drejtuesit e Partizanit po shqyrtojnë disa alternativa për stolin e skuadrës, ndërsa emri i Osmanit vazhdon të qarkullojë si një prej opsioneve serioze.
56-vjeçari gëzon reputacion të lartë në futbollin shqiptar, sidomos pas punës së tij te Vllaznia, ndërsa në Maqedoninë e Veriut konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptarë. Me KF Shkëndijën, Osmani ka shkruar historinë e klubit, duke fituar tre tituj kampionë dhe një trofe të Kupës, ndërsa për vite me radhë ka qenë një prej figurave më të rëndësishme të skuadrës kuqezi.
Në interesimin e Partizanit për trajnerin tetovar mund të ketë ndikim edhe fakti se drejtor sportiv i klubit është Agim Ibraimi, ish-futbollisti i njohur nga Tetova, i cili e njeh shumë mirë Osmanin nga bashkëpunimi i tyre te Shkëndija.
Mbetet të shihet nëse interesimi do të konkretizohet në ofertë zyrtare, por emri i Qatip Osmanit tashmë po përmendet në ambientet e njërit prej klubeve më të mëdha të futbollit shqiptar.

