Andrea Pirlo ka dhënë një intervistë për ish-bashkëlojtarin e tij në Milano dhe në kombëtaren italiane, Massimo Ambrosini, e cila është shfaqur në platformën Amazon Prime Video.

Trajneri aktual i Fatih Karagumruk, iu referua kalimit të tij nga kuqezinjtë te Juventusi në vitin 2011. Ai u shpreh i mërzitur për etiketimin si tradhëtar dhe theksoi se nuk u largua për paratë që i dhanë bardhezinjtë, por për faktin se milanezët nuk donte t’i jepte një kontratë më të gjatë se një vit.
“Milani donte të nënshkruante me mua vetëm për një vit, si ti, Nesta dhe Gattuso, sepse ne ishim mbi 30 vjeç. Nuk u takuam kurrë për të diskutuar, sepse doja të qëndroja për më shumë vite. Më shqetëson të konsiderohem tradhëtar. Kam qarë shumë deri në momentin e fundit, sepse do të rrija gjithë jetën në Milano, u largova për shumë arsye, por jo sepse doja më shumë para, apo doja të shkoja diku tjetër. Mendova se meritoja më shumë vite kontratë”,- ka thënë ndër të tjera Pirlo.
“Legjenda” italiane luajti me Milanin nga viti 2001 deri në vitin 2011, ai bëri 401 ndeshje me 41 gola, 70 asistime dhe ndër të tjera ngriti dy Champions League, po aq kampionate dhe një Botëror për Klube. Ai qëndroi te Juventusi për katër vjet, shënoi 19 herë, dha 38 asistime, fitoi katër kampionate dhe gjithsej shtatë tituj vendas.

