Edhe i qetë në pamje, Andrea Pirlo di edhe të “ulërasë”. Pas eksperiencës me Juventus në Serie A, ai është duke përjetuar aventurën e dytë në karrierën e tij si trajner. Aktualisht, ish-mesfushori është në drejtimin e skuadrës Fatih Karamguruk në Superligën turke, ku gjërat nuk po shkojnë në favorin e italianit.

Pas barazimit të fundit në kampionat ndaj Kasimpasa me rezultatin 2-2, Pirlo “shpërtheu” në media, duke u ankuar se në Turqi, rezultatet janë të fiksuara dhe sipas tij ishte e kotë të punohej gjithë javën, duke shfryrë gjithë inantin e tij ndaj arbitrave të ndeshjes.
“Nëse kërkojnë t’i vendosin ndeshjet jashtë fushës, atëherë është e kotë që të punojmë gjithë javën. Ne si skuadër do të analizojmë gabimet tona, por është mirë që edhe arbitri të analizojë gabimet e tij në këtë ndeshje.
Është e kotë të punojmë dhe më pas të shohim episode që të bëjnë të ndihesh keq. Nëse ndeshjet vendosen nga jashtë, atëherë mos të zbresim fare në fushë. Në çdo ndeshje të kampionatit ka episode të dyshimta dhe unë fatkeqësisht nuk e kuptoj arsyen”,- është shprehur Pirlo.
Aktualisht, Karagumruk e drejtuar nga Pirlo renditet në vendin e 10-të të klasifikimit, në kuotën e 21 pikëve, ndërsa tani ndjen ende rrezikun e zonës së ftohtë për t’u rrëzuar nga Superliga turke.

