Partizani u ndal në një barazim 1-1 në aktin e parë të turit të parë eliminator të Champions League ndaj Bate Borisov. Nga rastet e shumta të krijuara, kontrollit të topit dhe lojës së guximshme, u përkufizua debutimi i Zoran Zekic në stolin e kampionëve të Shqipërisë, teksa në ndeshjen e Air Albania u shfaqën dhe sinjalet e para pozitive të transmetuara nga kroati drejt të kuqve që kanë gjithçka për të luajtur në takimin e kthimit në Bjellorusi.

Më kurajoze u shfaq skuadra e Partizanit që në fillim teksa që në minutën e 10′ regjistruan një rast të rrezikshëm falë një tentative të Carës nga jashtë zonës, por goditja e sulmuesit u kontrollua nga portieri kundërshtar. Insistimi i Partizanit vijoi dhe 10 minuta më vonë tentoi dhe Murataj që rikuperoi një top në gjysmëfushën e bjellorusëve, por topi i goditur prej tij nuk gjeti kuadratin. Në të 23′, Mba mor një top brenda zonës, por sulmuesi shtatlartë nuk i bëri mirë llogaritë pasi u kthye, me topin që u devijua mbi traun e portës.
Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërkohë që në pjesën e dytë u shënuan dhe dy golat e vetëm të sfidës. Fillimisht, Bate Borisov kaloi në avantazh në minutën e 58′, teksa Antilevski ndali topin në rrjetë vetëm pak sekonda pas Qirko pati bëri një pritje të shkëlqyer. Sidoqoftë, epërsia e bjellorusëve zgjati shumë pak, pasi në të 66′, Partizani vendosi ekuilibrat me finalizimin e Tedi Carës. Pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, topi përfundoi në këmbët e Muratajt, me mesfushorin që shërbeu mirë për tek Cara që nuk fali për të çuar shifrat në 1-1.
Në minutën e 71′, Zoran Zekic bëri lëvizjet e para duke aktivizuar Mensah dhe duke i dhënë minutat e para si i kuq Grezdës.
Demat e Kuq patën rastin më të mirë për të përmbysur në të 75′, teksa tentativa e Muratajt u ndal nga shtylla, një moment i pafat për Partizanin që kishte shansin për të marrë epërsinë e vyer në këtë përballje.
Shifrat mbetën të pandryshuara në 1-1 deri në fundin e sfidës, me Partizanin që siguron një rezultat shpresëdhënës në ”Air Albania” ndaj BATE Borisov dhe që lë gjithçka të hapur sa i takon kualifikimit në ndeshjen e javës së ardhshme.

