Vazhdon paqartësia rreth pasardhësit të Artim Shaqirit në pankinën e Shkëndijës.

Në kushte kur duket se marrëveshja e arritur të hënën me Qatip Osmanin përfundimisht nuk do të hyjë në fuqi, të paktën jo në këtë moment, udhëheqësia e re e Shkëndijës është hedhur në kërkim të gjetjes së shefit të ri të stafit teknik.
Në opinion shfaqet emri i Shpëtim Duros, përmendet edhe Ernest Gjoka, por së fundmi ka dalë në horizont një tjetër emër nga Shqipëria.
Orges Shehi. Trajneri që sezonin e shkuar drejtoi Tiranën drejt titullit kampion, duket të jetë dëshira e Shkëndijës. Edhe pse i lidhur me kontratë me klubin më të trofeshëm në Shqipëri, burime të portalit Sportmania mësojnë se ish-portieri i Skënderbeut është kontaktuar nga drejtuesit e Shkëndijës. Ditët në vijim do të tregojnë nëse do të gjendet akordi, megjithëse në këtë rast fjalën e saj do ta ketë edhe Tirana që ka nën kontratë Orges Shehin.

