Omer Bunjaku: Nuk dua me paratë e mia të sponsorizohet Vardari

Me propozim të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, sot Këshilli i Qytetit të Shkupit ka miratuar ndihmën financiare prej 250 mijë eurove për Klubin e Futbollit “Vardar”. Ndihma financiare është miratuar me arsyetimin se klubi është në borxhe të mëdha dhe nuk mund t’i mbulojë harxhimet për sezonin aktual të futbollit.

Ky veprim ka ngritur reagime tek shqiptarët, ndërsa në mesin e atyre që dolën kundër kësaj, ishte edhe drejtori sportiv i Shkupit, Omer Bunjaku, duke reaguar përmes rrjeteve sociale.

Postimi i plotë i Bunjakut:

Ka tani sa vite që në vendin tonë është bërë e obligueshme që të gjitha klubet të kalojnë në Shoqëri Akcionare, që do të thotë do të kenë sponsorët e tyre, duke përfshirë këtu edhe disa mënyra të tjera që vijnë si ndihmë nga vetë shteti.

Por duke mos dashur shumë të merrem me temën, e Shoqërive Aksionare, Qyteti i Shkupit si duket po harron se nuk ka të drejtë të bëjë ndarje mes klubeve.

E them këtë, se në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, vetëm nga qyteti i Shkupit, për momentin garojmë katër klube, FC Shkupi, FC Makedonija Gj.P., Rabotniçki dhe Skopje, ndërsa pikërisht qyteti i Shkupit ka vendosur që me 250 mijë euro të ndihmojë klubin e Vardarit, që po garon në Ligën e Dytë, ndërsa po ky klub tani më nuk është i qytetit, por është në pronësi private.

Vallë a ka harruar kryetarja dhe të zgjedhurit e popullit në kuvendin e qytetit (në përjashtim të shqiptarëve, të cilët nuk e kanë mbështetur), se jo të gjithë shkupjanët e duan Vardarin dhe se nuk duan që parat nga taksat e tyre të shkojnë në klubin që fare nuk ka të bëjë me ta.

As unë që i paguaj taksat, nuk dua që të sponsorizoj dhe financoj klubin e Vardarit, hiq më pak kur edhe ne si klub që garojmë në Ligën e Parë kemi nevojë të madhe që të ndihmohemi nga buxheti i qytetit, arkën e të cilit e mbushin edhe me parat tona.

Është koha e fundit, që qyteti të mos bëhet për dikë nënë e për dikë njerkë, të gjithë të mundohen dhe të kryejnë obligimet sipas posteve që kanë marrë. Në fakt me këtë, Qyteti i Shkupit me këtë akt, nuk po e ndihmon klubin e Vardarit, por drejtpërdrejt pronarët e rinj të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close