Vetëm pak javë na ndajnë nga fillimi i Premier League, ndërsa skuadrat po kryejnë transferimet për të qenë sa më kompetitive për sezonin e ri futbollistik. Tottenham Hotspurs po shenjëstron një goditje të dyfishtë për të përforcuar sulmin dhe mesfushën.

Sa i takon repartit ofensiv, Tottenhami ende nuk ka gjetur një zëvendësues të denjë të Harry Kane, që kur anglezi u largua drejt Bayern Munchen.
Si rrjedhojë, londinezët synojnë afrimin e Ivan Toney, por vlerësimi i lartë i Brentford, 80 milionë paund, i bën të vështira tratativat.
28-vjeçari ishte pjesë e Anglisë në Euro 2024, teksa u tregua vendimtar për “Tre Luanët” në fazën e 1/8-ve ndaj Sllovakisë. Si dhe në ndeshjen çerekfinale ndaj Zvicrës.
Përballë sllovakëve, Toney i serviri golin e dytë Harry Kane, nëpërmjet një asisti me kokë. Ndërsa në cerekfinale, shënoi një nga 11-metërshat e rëndësishëm ndaj Zvicrës në serinë që nxorri fituese Anglinë.
Një tjetër anglez që përflitet për një kalim te Tottenham është Conor Gallagher. 24-vjeçari prej shumë kohësh është lidhur me një largim nga “Stamford Bridge”. Pasi nuk ka pasur minutazhin e duhur në dispozicion.
Chelsea kërkon të përfitojë shumë nga shitja e mesfushorit dhe synon jo pak, por 50 milionë paund.
Tratativat e Tottenham nuk do të jenë aspak të lehta, si pasojë e pretendimeve të larta të klubeve angleze.
Por investimet në këtë pikë janë të rëndësishme për londinezët, nëse duan të jenë konkurrues për objektivat e mëdhenj në Premier League në sezonin e ri futbollistik.

