Një shqiptar, një ëndërr dhe një surprizë në “Allianz Arena”! 

Tifozët e Bayern Munich janë të shpërndarë në mbarë botën, por shqiptarët kanë një lidhje të veçantë me gjigantin bavarez. Një dëshmi e kësaj është përjetimi i Uran Krasniqit nga Prishtina, i cili realizoi ëndrrën e tij për të vizituar stadiumin legjendar “Allianz Arena”.

Gjatë turit në stadium, Uranit iu dha mundësia të dëgjonte historinë e klubit dhe të shihte nga afër infrastrukturën e një prej klubeve më të mëdha në botë. Mirëpo, surpriza më e madhe e vizitës erdhi pas përfundimit të turit, kur ai vendosi t’i afrohej udhërrëfyeses për t’i treguar për pasionin e tij për Bayern Munich dhe për numrin e madh të tifozëve që ky klub ka në Kosovë.

Për habinë e tij, udhërrëfyesja iu përgjigj: Nga Kosovaaaa? Edhe unë jam shqiptare nga Kosova!”

Ky moment i veçantë e bëri edhe më të paharrueshme vizitën në “Allianz Arena”, duke dëshmuar edhe një herë se shqiptarët tashmë janë të pranishëm në çdo cep të botës, madje edhe në një prej institucioneve më të mëdha të futbollit evropian.

Qëllimi im ishte t’ia bëja një reklamë Kosovës te një zyrtare e Bayern Munich, por në fakt, reklama më e mirë e Kosovës te Bayern Munich qenke ti,” – shkroi Uran Krasniqi në rrjetet sociale, duke sqaruar bisedën me bashkëkombasen.

Një histori që tregon më së miri se ëndrrat realizohen dhe që shqiptarët, kudo që ndodhen, shkëlqejnë dhe lënë gjurmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close