Sipas raportimeve të mëngjesit të sotëm nga “Gazzetta dello Sport”, negociatat mes Milanit dhe Manchester United për Marcus Rashford janë në një pikë bllokimi. Zyrtarët e klubit kuqezi po presin ende një përgjigje përfundimtare nga “Djajtë e Kuq” ndaj ofertës së dorëzuar disa ditë më parë nga Giorgio Furlani te homologu i tij, Berrada.

Në këtë situatë, Milani ka nisur të shqyrtojë një alternativë të rëndësishme: Joao Felix, aktualisht lojtar i Chelsea. Lojtari portugez nuk ka gjetur shumë hapësira nën drejtimin e Enzo Maresca dhe tani klubi londinez po mendon ta largojë atë.
Chelsea preferon ta shesë përfundimisht, por me afrimin e fundit të afatit të merkatos dimërore, opsioni i huazimit po bëhet gjithnjë e më i realizueshëm. Pikërisht këtu mund të hyjë në lojë Milani, duke propozuar një formulë huazimi me të drejtë blerjeje. Një opsion më i thjeshtë krahasuar me marrëveshjen për Rashford, e cila është shumë më e komplikuar.
Kostoja e pagës së ish-lojtarit të Benfica është më e përballueshme krahasuar me atë të sulmuesit të Manchester United. Joao Felix fiton rreth 5.7 milionë euro në sezon (përfshirë bonuset), ndërsa Rashford e kalon shifrën e 13 milionë eurove. Për më tepër, Joao Felix është një lojtar që pëlqehet shumë nga trajneri i Milanit, Sergio Conceiçao, duke e bërë këtë transferim opsion tërheqës për kuqezinjtë.

