Struga Trim&Lum pas tre xhirove mban efekt maksimal të fitoreve dhe me 9-të pikë renditet në vend të parë në tabelë. Dy triumfeve fillestare të dielën ju shtua fitorja 2:1 ndaj Rabotniçkit. Radiç shënoi golin e fitores, pasi paraprakisht Todorovski kishte barazuar rezultatin në 1:1, ndërsa ai që zhbllokoi shifrat ishte Zija Merxhani. Pikërisht autori i golit të parë të Strugës ndaj Rabotniçkit, ka komentuar duelin e fundit dhe tre pikët e rradhës të koleksionuara në konton e struganëve.

“Mendoj që zhvilluam një ndeshje të mirë. Unë e kam shprehur edhe para ndeshjes që do jetë një ndeshje e vështirë, sepse e dimë forcën që ka Rabotniçki dhe ashtu ishte. Gjithsesi ne i kishim marrë masat dhe luftuam shumë fort për të marrë 3 pikët në fushën tonë. Sa i përket golit, jam i kënaqur shumë sepse zhbllokova rezultatin, gjithsesi shpresoj të vazhdojmë kështu si grup të ecim përpara”, është shprehur Zija Merxhani në një prononcim për faqen zyrtare të Struga Trim&Lum në Facebook.

