Rey Manaj mbylli një sezon mjaft pozitiv me Sivassporin duke shënuar plot 22 gola e dhuruar tre asistë në elitën turke të futbollit. Performancë kjo që i dhuroi edhe grumbullimin me kombëtaren në Euro 2024, aty ku trajneri Sylvinho e aktivizoi në të treja ndeshjet e grupit.

Sigurisht, kjo paraqitje e lushnjarit nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga klubet italiane që po studiojnë të afrojnë Manajn në këtë merkato verore. Te Sivasspor, janë tashmë të përgatitur se mund t’i humbasin shërbimet e 27-vjeçarit, me trajnerin Bulent Uygun që thekson se merkato e skuadrës së tij do të varet shumë nga e ardhmja e shqiptarit.
Uygun, u shpreh se nëse largohet Manaj do të duhet që të transferojnë dy sulmues, në të kundërt, nëse Manaj qëndron atëherë do të mjaftohej edhe me një prurje të re si alternativë për sulmuesin e kombëtares kuqezi.
Mbetet për t’u kuptuar tashmë se cila do të jetë aventura e radhës për Manaj, teksa sinjalet nga Italia, aty ku 27-vjeçari ka bërë karrierë me Inter, Spezia, Cremoneze e Spezia, nuk mungojnë.

