Klubet e futbollit reagojnë dhe kërkojnë përgjigje nga Ministria e Sportit! 

Ministria e Sportit, në fund të vitit të kaluar, nisi me financimin dhe subvencionet në fushën e sportit.

Me fillimin e pagesës së fondeve, një pjesë e madhe e klubeve të futbollit nga Liga e Parë dhe e Dytë reaguan lidhur me lartësinë e fondeve të ndara. Në këtë kontekst, në redaksinë tonë ka mbërritur një deklaratë nga shumica e klubeve të këtyre dy ligave, ku kërkohen përgjigje për disa pyetje nga Ministria e Sportit.

Deklarata e klubeve të Ligës së Parë dhe të Dytë të Maqedonisë së Veriut:

“Të nderuar, dëshirojmë të informojmë opinionin publik për ngjarjet lidhur me financimin dhe subvencionet në sport. Në nëntor të vitit 2024, filloi zbatimi i Programit të Subvencioneve në sport, i cili zëvendësonte sistemin e mëparshëm të Voucher-ave, që realizohej nga Agjencia për Rini dhe Sport, tashmë e shuar pas krijimit të Ministrisë së Sportit.

Pas publikimit të thirrjes për aplikime, me fillimin e pagesës së fondeve, shumë klube reaguan për shkak të shpërndarjes së pabarabartë dhe mungesës së transparencës.

Në takimet që pasuan me Ministrin e Sportit, u premtua se gabimet në vlerësimin e fondeve do të korrigjoheshin me pagesat e ardhshme, të planifikuara për mars dhe shtator 2025. Po ashtu, u theksua se kriteri i vetëm për ndarjen e fondeve ishte renditja e ekipeve të para në tabelë gjatë sezonit të kaluar dhe se nuk ishin parashikuar fonde për klubet e ligave më të ulëta apo shkollat e futbollit pa ekipe të para.

Megjithatë, deri më 4 janar 2025, ende mungon që te faqja zyrtare e Ministrisë për të publikuar detajet mbi fondet e shpërndara dhe përfituesit e tyre. Nga informacionet në platformën e Ministrisë së Financave, kemi mësuar se në dhjetor 2024 janë shpërndarë gjithsej 114.710.000 denarë. Në këtë listë, janë evidentuar pagesa për klube të Ligës së Tretë në shuma më të mëdha se disa klube të Ligës së Dytë, si dhe për shkolla futbolli që nuk garojnë në konkurrencën e seniorëve.

Në këtë kontekst, kërkojmë përgjigje për pyetjet e mëposhtme:

• A janë fondet e shpërndara në dhjetor 2024 pjesë e mjeteve nga lojërat e fatit, siç ishte planifikuar, dhe cilat ishin kriteret për ndarjen e tyre?

• Pse ekziston një selektivitet në përzgjedhjen e klubeve për përfitimin e fondeve në këtë periudhë gjysmësezonale?

• Si është e mundur që klubet e Ligës së Tretë të marrin më shumë fonde se ato të Ligës së Dytë?

• A do të publikojë ministria një listë të detajuar mbi kriteret dhe shumat e shpërndara?

• Kush ka të drejtën diskrecionare për të vendosur se cilët klube do të përfitojnë fonde dhe në çfarë periudhe?

Presim mbështetje nga publiku sportiv, pasi sporti duhet të jetë një mjet bashkimi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close