Jurgen Klopit ka filluar të adaptohet me rolin e tij të ri tek Red Bulli. Ish-trajneri i Liverpullit ka hartuar një listë të objektivave që ai dëshiron t’i transferojë. Lajmet e fundit nga strategjia e Klopit, vijnë nga gazetari Sebastian Vidal, i cili ka thënë se një numër lojtarësh të Barcelonës janë në listën e blerjeve për “Red Bull”.

Me sa duket, që të dy, Aleiks Garrido dhe Noah Darviç janë duke u ndjekur nga Klop para integrimit të tij në rol dhe i sheh adoleshentët e Barcelonës si të duhurit për grupin e “Red Bull”-it. Dyshja janë paraqitur vazhdimisht për Barcelonën B deri më tani, por Garrido kishte bërë debutimin me ekipin e tij të parë gjatë kohës sa Çavi ishte në krye të blaugranasve.
Zhvillimi i Garridos është penguar nga një thyerje që kishte pësuar gjatë muajit mars dhe ai ende nuk ka luajtur këtë sezon, Sidoqoftë 20-vjeçari shihet si njëri prej lojtarëve më premtues në akademinë e Barcelonës dhe kjo duket se nuk i ka shpëtuar syrit të Kloppit.
Darviç në anën tjetër u transferua nga SC Frajburg verën e kaluar dhe adoleshenti gjerman ka pasur një sezon mjaft të mirë që prej se u transferua në Kataluni. 18-vjeçari ishte i përfshirë në turin parasezonal me Barcelonën këtë verë, por ende nuk e ka bërë debutimin e tij zyrtar me ekipin e parë.

