Ish-seleksionuesi i Maqedonisë, Igor Angellovski, ende nuk di për fitore në kampionatin kroat me skuadrën e Goricës, ndërsa mbrëmë humbi edhe nga Hajduku me golin e Marko Livajës në minutën e 98-të të takimit.

Angellovski nuk u gëzua aspak pas humbjes së re të Goricës, e cila është në pozitën e fundit në ligë me vetëm gjashtë pikë të fituara.
“Dua t’i përgëzoj lojtarët sepse treguan kualitet dhe guxim për t’u përballur me Hajdukun. Ishim në rrugën e duhur dhe me një lojtar më pak. Pësuam gol në minutën e 98-të të ndeshjes, por merituam më shumë respekt. Më vjen turp për disa vendime, na fituan me ndihmën e arbitrave, por kot nuk do të na thyejnë. Do të luajmë me më shumë dëshirë dhe jam i sigurt se do të sigurojmë mbijetesën në Ligën e Parë”, tha Angellovski.
Gorica ka shënuar vetëm një fitore, tre barazime dhe madje tetë humbje në 12 xhirot e para të kampionatit kroat këtë sezon.

