Mançester Siti ka mposhtur Sllovan Bratislavën me rezultat 4-0, për të regjistruar fitoren e parë në Ligën e Kampionëve në formatin e ri dhe një nga golat ishte vepër e sulmuesit norvegjez Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez është në formë të jashtëzakonshme në kompeticionin elitar dhe tashmë ka shënuar më shumë gola se sa ka luajtur në këtë kompeticion.
Golashënuesi norvegjez shënoi golin e 42-të në elitë, ndonëse ka gjithsej 41 paraqitje me Salzburgun, Borusia Dortmundin dhe Man. Sitin. Ndërkohë kampioni i Premier Ligës barazoi rekordin e rivalit të tij të qytetit, Mançester Junajted.
Siti barazoi rekordin e “Djajve të Kuq”, që i referohet serisë më të gjatë pa humbje në kompeticionin elitar. “Qytetarët” nuk kanë humbur 25 ndeshje radhazi, gjegjësisht kanë 17 fitore dhe tetë barazime në atë periudhë, kështu që barazuan rekordin e “Djajve të Kuq”, i cili ishte vendosur në periudhën 2007-2009.