Volejbolli shqiptar dhe veçanërisht Shkëndija e Tetovës i dhanë lamtumirën një prej figurave më të shquara të këtij sporti, Habil Ajetit, i cili pas 28 vitesh karrierë vendosi të tërhiqet nga fusha, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe një kontribut të pashlyeshëm.

Mbrëmja e tij e fundit si lojtar aktiv u shënua me një ceremoni të veçantë në Tetovë, në ndeshjen mes KV Shkëndijës dhe OK Strumicës, ku nuk munguan respekti dhe mirënjohja për një kapiten që ka lënë gjurmë në volejbollin shqiptar. Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e personalitete të rëndësishme të sportit, si presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm Valon Nikçi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Një karrierë me suksese brenda dhe jashtë vendit
Habil Ajeti ka qenë një nga lojtarët më të spikatur në rolin e korrektorit, duke përfaqësuar ekipe të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe Zvicër. Ai ka kontribuar në shumë tituj dhe trofe, duke qenë pjesë e ekipeve elitare si:
✅ Shkëndija Tetovë 🇲🇰
✅ KEK-u 🇽🇰
✅ Mabetexi 🇽🇰
✅ Drenica 🇽🇰
✅ Rabotniçki Shkup 🇲🇰
✅ Studenti Tiranë 🇦🇱
✅ Pallavolo Lugano 🇨🇭
✅ Shutova Kërçovë 🇲🇰
✅ Luboteni Ferizaj 🇽🇰
✅ Skënderbeu Kraishtë 🇽🇰
Ajeti me këtë rast mori dhruata e mirënjohje të ndryshme, derisa në veçanti, KV Luboteni Ferizaj e nderoi Ajetin me një plis të bardhë dhe një dhuratë simbolike si shenjë respekti për kontributin e tij gjatë pesë viteve në klub, duke e ndihmuar të shpallet kampion në Superligën e Kosovës.
Fundi i një epoke, por jo i ndikimit të tij
Largimi i Habil Ajetit nga fusha nuk është një fund, por fillimi i një epoke të re për volejbollin, ku përvoja dhe pasioni i tij do të jenë gjithmonë një burim frymëzimi për brezat e rinj. Kapiteni që dha gjithçka për këtë sport, sot largohet si një kampion i vërtetë, i nderuar nga të gjithë ata që e njohën dhe e duartrokitën në karrierën e tij të gjatë.
Faleminderit për gjithçka, legjendë!

