Shpat Abdii nis një kapitull të ri në karrierën e tij, tashmë në rolin e trajnerit të FC Xhepçishtit. Një nga kontribuesit kryesorë të klubit kohëve të fundit, Abdii ishte pjesë e organizimit, futbollist dhe kapiten i skuadrës që realizoi ëndrrën e ngjitjes së Xhepçishtit në Ligën e Tretë. Sezonin e kaluar vendosi t’i japë fund karrierës si futbollist aktiv, ndërsa tani do të ulet në bankinë së bashku me Bekim Sadikin, me të cilin do ta udhëheqë ekipin në sezonin 2026/27.

“Jam shumë i lumtur për gjithçka që kam mundur t’i jap këtij klubi në periudha të ndryshme, qoftë në organizim, si futbollist apo si kapiten. Tani e pres me shumë entuziazëm këtë kapitull të ri dhe dua të jap maksimumin edhe në rolin e trajnerit”, shprehet Abdii për Sportmania.
Debutimi i dyshes Abdii–Sadiki në bankinë do të jetë të dielën në Tetovë, ku Xhepçishti do të përballet me Cetinskën në ndeshjen e parë të sezonit të ri.

