Hamburger SV ka hedhur sytë te 20-vjeçari i Shkëndijës, Anes Meliqi.

Pas rikthimit në Bundesligë, Hamburger SV është në kërkim të përforcimeve, duke menduar gjithashtu edhe për të ardhmen.
Sipas një artikulli të publikua nga një media gjermane, HSV aktualisht po e vëzhgon Anes Meliqin e KF Shkëndijës.

20-vjeçari është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës tetovare dhe këtë sezon ka bindur me paraqitjet e tij në të gjitha ndeshjet zyrtare.
Në ndeshjen e fundit, Meliqi shënoi golin e tij të parë të sezonit në fitoren 2:0 në transfertë ndaj Sileksit, duke realizuar si mbrojtës.
Me gjatësi prej 1.92 metrash, një bilanc të mirë në duelet direkte dhe aftësi të mira në ndërtimin e aksioneve nga prapavija, Meliqi posedon karakteristika të rëndësishme për futbollin modern.
Edhe në arenën ndërkombëtare, Meliqi ka arritur të grumbullojë përvojë, pasi ka luajtur në disa ndeshje të UEFA Conference League.
Hamburger SV, i rikthyer këtë sezon në Bundesligë, po e monitoron kështu Anes Meliqin si një talent për repartin defensiv dhe si një investim të mundshëm për të ardhmen. Artikulli nuk raporton për ofertë apo negociata konkrete, por vetëm për interesimin dhe vëzhgimin e lojtarit nga klubi gjerman.

