Shqiptarët vazhdojnë të na përfaqësojnë me sukses në çdo fushë, ndërsa një histori e veçantë vjen nga futbolli i femrave. Anisa Shaini, futbollistja me prejardhje nga Tearca (rrethina e Tetovës), ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierë duke iu bashkuar F.C. Copenhagen, një prej klubeve më të njohura të Danimarkës.

20-vjeçarja, e cila luan si mesfushore ofensive, është pjesë e përfaqësueseve të moshave të Danimarkës dhe ka regjistruar 19 paraqitje dhe tetë gola me U16 dhe U17. Shaini e nisi futbollin në moshën gjashtëvjeçare te B1908, ndërsa më pas kaloi te B.93 dhe Brøndby IF, ku u zhvillua në akademinë e klubit. Në kampionatin danez U18, ajo u shpall golashënuesja më e mirë me 22 gola në 22 ndeshje.
Pas kontratës së parë profesionale me Brøndby në vitin 2023 dhe një aventure te OB Q, ku një dëmtim në këmbë e la jashtë fushave për gjysmën e dytë të vitit 2025, Shaini tashmë ka marrë një tjetër mundësi të madhe, këtë herë me fanellën e Kopenhagës.
Dhe nëse transferimi në një klub të këtij niveli ishte një sinjal i qartë për potencialin e saj, debutimi i Anisës ka dhënë menjëherë një tjetër arsye për të besuar te një kapitull i suksesshëm. Në ndeshjen e Kupës ndaj Næstved, Shaini shënoi plot tre gola, duke nisur aventurën te Kopenhaga në mënyrën më të mirë të mundshme.
Një transferim i rëndësishëm, një debutim spektakolar dhe një tjetër emër me origjinë shqiptare që po ndërton rrugën e saj në arenën ndërkombëtare. Tearca dhe jo vetëm, por edhe shqiptarët kanë një tjetër arsye për të qenë krenare për Anisa Shainin.

