Finalja e Kupës së Maqedonisë ndërmjet Sileksit dhe Shkëndijës zhvillohet të mërkurën në Arenën “Todor Proeski”, ndërsa tashmë janë publikuar edhe detajet organizative dhe teknike të ndeshjes.

Kupa e Maqedonisë së Veriut ndërmjet FK Sileks dhe KF Shkëndija do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.
Organizatore e ndeshjes është Federata e Futbollit të Maqedonisë, e cila tashmë ka nxjerrë në shitje biletat për tifozët e të dy skuadrave. Çmimi i një bilete është 400 denarë.
Për arsye sigurie, tifozëritë do të jenë të sistemuara në sektorë të ndarë dhe të distancuar. Tifozët e Shkëndijës do të vendosen në blloqet 13, 14, 20 dhe 21, ndërsa për grupin “Ballistët” është rezervuar në mënyrë të veçantë blloku 11.
Në anën tjetër, tifozët e Sileksit do të jenë të sistemuar në sektorë të ndarë nga pjesa kuqezi.
Ndërkohë, janë bërë të ditura edhe detajet teknike të finales. Shorti ka përcaktuar që Sileksi në këtë duel të figurojë si skuadër vendase, çka nënkupton se skuadra nga Kratova do të luajë me fanellën e parë, ndërsa Shkëndija do të paraqitet me fanellën e bardhë si skuadër mysafire.
Nga tifozët e Shkëndijës pritet atmosferë e zjarrtë në Shkup për duelin që do të vendosë fituesin e trofeut të Kupës së Maqedonisë.

