Nesër do të zhvillohen të gjitha takimet e xhiros së 31-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kampionët aktual të vendit, Struga Trim Lum pret në shtëpi Gostivarin, në një ndeshje të rëndësishme të këtij sezoni.

Ndërkaq, në këtë ndeshje pritet të debutojë edhe trajneri i ri Meriton Gega i cili para vetes ka një detyrë të vështirë në tre xhirot e fundit të kampionatit, ku Struga, Shkupi dhe Shkëndija futen me pikë të barabarta në krye të renditjes.
“Normalisht si skuadër shkojmë për të fituar 3 pikët e plota, edhe pse duhet pranuar se Gostivari ka një skuadër shumë cilësore. Jemi në përparësi që luajmë para publikut tonë, që pritet të na japin përkrahjen e duhur. Fitorja them se është e domosdoshme, jemi përgatitur mirë gjatë këtyre dy ditëve dhe mendoj se në fushë do të zbresim me lojtarët më të përgatitur”, u shpreh Meriton Gega.
Dy disfatat e njëpasnjëshme ndaj Sileksit në Strugë dhe Tikveshit në Kavadar, kanë ndikuar te skuadra, mirëpo falë lojtarëve me shumë eksperiencë, Gega beson se ekipi i tij ka forcë për ta tejkaluar edhe këtë situatë të palakmueshme, që në fund mund të rezultojë në festë për skuadrën tonë.
“Jemi ndoshta në një situatë jo të mirë psikologjike pas atyre dy disfatave të njëpasnjëshme, ku duheshe të marrim pikë, e që më pas rezultoi edhe me ndërrimin e trajnerit, mirëpo gjitha këto janë pjesë e futbollit. Më gëzon fakti se në skuadër kemi lojtar shumë cilësorë dhe me përvojë të madhe, ashtu që falë tyre dhe kontributit që pritet të japin dhe ta reflektojnë edhe te e gjithë skuadra, besoj se në fund do t’ia arrijmë qëllimit”, përfundoi Gega.
Përballja Struga Trim Lum – Gostivari luhet të shtunën me fillim në orën 17:00

