Sonte Shkëndija e Tetovës ndeshet me AIK-un e Suedisë në Stokholm në duelin e parë të raundit të tretë të eliminatoreve të UEFA Conference League. Rezultati nga ndeshja e sotme do të japë pralajmërim të qartë se cila prej skuadrave pas një jave në Shkup do të jetë më afër play offit dhe për kuqezinjtë vlerë kapitale ka rezultati pozitiv nga ndeshja e sotme. Pasi eliminuan Araratin e Armenisë dhe Valmieran e Letonisë, tetovarët tashmë para vetes kanë një rival më serioz.
Për forcën e AIK-ut dhe shanset e dy skudrave, ekskluzivisht për Sportmania ka folur trajneri tetovar që qëndron me punë në Suedi, Gajur Sadiki. Si njohës i mirë i futbollit suedez, Sadiki analizon AIK-un dhe paralajmëron duele shumë interesante.
“Bëhet fjalë për skuadër shumë serioze dhe me cilësi në grup. Sulmi është pika e tyre më e fortë, kanë sulmues të hatashëm. Në përbërje kanë 4 futbollistë që luajnë me përfaqësuesen. Ndërkohë duhet shumë kujdes në daljet përpara të qendërmbrojtësit serb Milosheviq, shumë i rrezikshëm në harkimet nga gjuajtjet e lira ose rivëniet nga këndi. Po i’u la pak hapsirë, nuk gabon në goditjet me kokë”, shprehet ish-futbollisti i Shkëndijës së Tetovës, Gajur Sadiku në analizën e tij për ekipin suedez.
“Shkëndija shansin duhet ta kërkojë te loja kolektive. Nëse tregohen të kujdesshëm në mbrojtje, me një koncentrim maksimal dhe lojë kolektive, besoj se mund të dilet me rezultat pozitiv”, shtoi Sadiku, i cili jeton 600 kilometra larg Stokholmit dhe shkaku i angazhimeve profesionale nuk ka mundur të udhëtojë më herët drejt qytetit të ndeshjes. Gjithsesi ai beson sonte të jetë i pranishëm në “Friends Arena”.
Përballja AIK-Shkëndija luhet sonte me fillim në orën 19:00.