Fund dramatik në Angli! Leeds fiton titullin në “frymën e fundit”, Mehmeti pranë Premier League 

Sezoni 2024/25 në Championship në Angli, përfundoi me dramë si në krye të tabelës ashtu edhe në fundin e saj. Leeds United u shpall kampione e kategorisë së dytë angleze pas një fitoreje në frymën e fundit në fushën e Plymouth, ndërkohë që Burnley, që gjithashtu kishte siguruar ngjitjen në Premier League disa javë më parë, u rendit në vendin e dytë me pikë të barabarta.

Fitorja e Leeds në minutën e 90-të me rezultatin 2-1 ndaj Plymouth i dha skuadrës së Daniel Farke titullin, duke e lënë Burnley të dytën në bazë të golavarazhit, pavarësisht se edhe kjo e fundit fitoi me rezultatin 3-1 ndaj Millwall. Të dyja skuadrat e mbyllën sezonin me nga 100 pikë, por rezultati në ndeshjet direkte dhe diferenca e golave favorizuan Leeds.

Përveç dy vendeve të para që sigurojnë ngjitjen direkte, katër skuadra të tjera do të luftojnë për vendin e fundit që garanton ngjitjen në elitën e futbollit anglez përmes fazës së “play-off”-it. Sheffield United dhe Sunderland kishin siguruar pjesëmarrjen në këtë fazë përpara javës së fundit, ndërsa gara për dy vendet e mbetura mbeti e hapur deri në fund.

Coventry City, nën drejtimin e trajnerit Frank Lampard, siguroi një biletë falë fitores 2-0 ndaj Middlesbrough. Bristol City ku luan edhe Anis Mehmeti, arriti të marrë një pikë të rëndësishme përballë Preston në një ndeshje që përfundoi 2-2, duke mbyllur në këtë mënyrë katërshen e skuadrave pjesëmarrëse në play-off.

Kështu, çiftet gjysmëfinale janë përcaktuar, ku Bristol City sfidon Sheffield United, ndwrsa Coventry City luan ndaj Sunderland.

Fituesit e këtyre dueleve do të përballen në finalen që zhvillohet në Wembley, ku do të përcaktohet edhe skuadra e tretë që do të ngjitet në Premier League për sezonin 2025/26.

Në pjesën e poshtme të renditjes, është zyrtarizuar rënia e Luton Town, e cila pas vetëm dy vitesh nga pjesëmarrja në Premier League, do të luajë në League One sezonin e ardhshëm. Skuadra nuk arriti të shmangë rënien, duke përfunduar e fundit në klasifikim. Së bashku me të bien edhe Plymouth dhe Cardiff City, të cilat gjithashtu nuk arritën të sigurojnë qëndrimin në kategori.

Me përfundimin e sezonit të rregullt, vëmendja tani zhvendoset te faza vendimtare e play-off-eve, ku do të përcaktohet skuadra e fundit që do të bashkohet me Leeds dhe Burnley në elitën e futbollit anglez.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close