Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua sot festivali i futbollit si pjesë e aktivitetit “Futbolli në Shkolla” të UEFA-s, me pjesëmarrjen e veçantë të Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Gjithashtu, në ceremoninë hapëse morën pjesë edhe ambasadorët e UEFA-s Luís Figo dhe Aljosa Asanovic, ambasadori i FSHF-së për këtë event Jahmir Hyka, ish-lojtarë dhe personalitete vendase, djem dhe vajza nga shkollat lokale dhe prindër, duke krijuar një atmosferë festive në “Shtëpinë e Futbollit”.
Pas mbërritjes së delegacionit, fëmijët krijuan një korridor mikpritjeje për Presidentin Ceferin dhe Presidentin Duka.Aktiviteti vijoi me një ndeshje futbolli, ku pjesë e ekipeve ishin Presidenti Ceferin, Luís Figo, Aljosa Asanovic, trajneri i Kombëtares shqiptare Silvinjo, dy zëvendës-trajnerët Zabaleta dhe Doriva, Jahmir Hyka dhe fëmijët nga shkollat lokale, duke përcjellë mesazhin se futbolli, sporti më i dashur në botë, është për të gjithë.
Pas përfundimit të ndeshjes, Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka folën për mediat shqiptare që mbuluan këtë aktivitet shumë të rëndësishëm në prag të mbledhjes historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë.
Në fjalën e tij përpara mediave shqiptare, Presidenti i UEFA-s nënvizoi se futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i përçajë. Ai theksoi se duhet të qëndrojnë larg futbollit njerëzit që e përdorin këtë lojë për të përhapur idetë e tyre të kota. “Mesazhi im , jo vetëm për një ndeshje të caktuar, por për të gjithë është se futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan. Ne duhet të përpiqemi të largojmë këta ‘idiotë’ që e përdorin futbollin për ideologjitë e tyre absurde. Kudo, jo vetëm në një vend, por në të gjitha vendet. Sepse këta njerëz nuk e duan futbollin. Ata duan vetëm veten e tyre dhe e shfrytëzojnë futbollin për të përhapur idetë e tyre të kota”.

