Fillim jo i mbarë i sezonit të ri në LPFMV për kuqezinjtë tetovarë. Fakt është se Shkëndija nuk e nisi ashtu siç pritej sezonin e ri në Kampionatin e Maqedonisë së Veriut në futboll.

Vetëm dy fitore, një barazim dhe një humbje, 7 pikë të fituara nga 12 të mundshme. Sigurisht që goditja e madhe për ta është disfata e pardjeshme në Strumicë, ku u mposhtën (0:2) nga Struga TL.
Arsyet e këtij fillimi jo të mirë i ka komentuar për “Sportmedia” trajneri tetovar, Artim Shaqiri.
“Po, është e vërtetë që ndaj Strugës nuk ishim në nivelin e dëshiruar dhe humbëm me meritë. Fakti është se ne mund dhe duhej të kishim bërë më shumë në katër raundet e fundit, por tani nuk ia vlen të kthehemi në atë që ka qenë.
“Arsyet e kësaj do t’i kërkojmë në radhët tona. Ndoshta jemi ende në shok pas atij eliminimi fatkeq me penallti nga Europa League, por duhet të kthehemi urgjentisht si futbollistët po ashtu edhe psikikisht.
“Nesër luajmë me Tikveshin në Kavadar, nuk është sekret që po shkojmë për tri pikë.
“E respektojmë skuadrën vendase, por nuk e fshehim se duam fitore, duam tri pikë, këtu nuk ka dyshim”, thotë trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Artim Shaqiri.
Ndeshja e xhiros së pestë në LPFMV ndërmjet Tikveshit dhe Shkëndijës luhet të mërkurën në Kavadar me fillim në orën 16:00.

