FFK reagon për zërat se Prishtina ka shkelur rregullat me seanca stërvitore

Mbrëmë, mediet kosovare kanë raportuar se Prishtina ka shkelur rregullat duke zhvilluar stërvitje grupore, në kohën kur një gjë e tillë nuk lejohej.

Për këto raportime ka reaguar sot FFK, e cila u ka bërë thirrje skuadrave që t’u përmbahen rregullave të institucioneve.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell komunikatën e plotë të FFK.

Federata e Futbollit e Kosovës i ka pranuar me shqetësim raportimet e mediave se disa prej klubeve të Ipko Superligës i kanë thyer rregullat e institucioneve, duke filluar me grumbullime dhe stërvitje në ekip, në periudhën kur një gjë e tillë është e palejueshme si pasojë e pandemisë Covid-19.

FFK konsideron se ky veprim i klubeve është i pamatur, joprofesional dhe i rrezikshëm për futbollistët dhe popullatën e gjerë. Edhe një herë ju bëjmë me dije se FFK është duke punuar pareshtur së bashku me institucionet shëndetësore dhe autoritetet e shtetit që të gjejnë mundësitë për rifillimin e aktivitetit, me masa të shtuara mbrojtëse për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në stërvitje dhe në ndeshje të futbollit.

Duke pasur parasysh që ende nuk ka vendim as për datën e fillimit të stërvitjeve në grupe dhe as nëse do të vazhdojë apo jo kampionati e vlerësojmë të pakuptimtë veprimin e disa klubeve që kanë shtyrë futbollistët që të mbajnë stërvitje ekipore.

Njëherësh konsiderojmë se një gjë e tillë e dëmton në masë të madhe përpjekjen tonë që nëpërmjet një protokolli sanitar të marrim dritën e gjelbër nga autoritet e shtetit për rifillimin e futbollit dhe për mbylljen e këtij kampionati në fushën e gjelbër.

Prandaj, kërkojmë urgjentisht nga të gjitha klubet që t’u përmbahen vendimeve të FFK-së dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe t’i ndërprejnë menjëherë grumbullimet e tilla, duke i udhëzuar futbollistët që formën e tyre ta mbajnë me stërvitje individuale.

Në ditët e ardhshme do të kemi sërish takime me drejtuesit e institucioneve shëndetësore dhe po bëjmë çmos për rifillim sa më të shpejtë të futbollit, por gjithnjë duke e pasur si prioritet shëndetin e futbollistëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close