Fenerbahçe sulmon ashpër Galatasaray: Kontrata të paligjshme, treg i zi…

Në Turqi nuk qetësohet furtuna e shkaktuar nga vendimet e diskutueshme të arbitrave, sidomos pas ndeshjes mes Adana Demirspor dhe Galatasaray, ku një penallti e dhënë në favor të Dries Mertens bëri që lojtarët e Adanës të braktisnin fushën. Disa orë pas këtij episodi, ka ardhur një sulm i ashpër nga Fenerbahçe, rivali kryesor i Galatasaray për titullin kampion.

Në një postim në Twitter, klubi verdheblu akuzoi drejtpërdrejt rivalët e vet: “Me kontratat tuaja të paligjshme, shitjen e biletave në treg të zi dhe bastet ilegale, vazhdoni të mashtroni shtetin tonë dhe Federatën e Futbollit të Turqisë. Me mediat tuaja të kontrolluara dhe deklaratat hipokrite, vazhdoni të manipuloni opinionin publik.

Vazhdoni të mashtroni arbitrat dhe tifozët me lojtarët tuaj, që prej vitesh veprojnë në mënyrë të pandershme. Falë jush, nuk ka mbetur as besim dhe as drejtësi. Ju gjithmonë jeni viktimat e pafajshme! Urime, shikoni çfarë i keni bërë futbollit turk!”

Jose Mourinho, trajneri i Fenerbahçes, prej muajsh ka akuzuar rivalët për favore arbitrale. Pas incidentit të fundit ka shtuar presionin, duke postuar në Instagram një video të episodit të penalltisë së Mertens. Ky veprim shkaktoi një reagim të madh nga tifozët e Fenerbahçes, të cilët mbushën rrjetet sociale me mesazhin “ne jemi të pastër”, një frazë që portugezi e kishte përdorur më parë në një deklaratë të tijën në nëntor.

Presidenti i bordit drejtues të Fenerbahçes, Şekip Mosturoğlu, gjithashtu e ngriti tonin e akuzave, duke deklaruar: “Derisa institucionet të mos përmbushin detyrimet e tyre ligjore, ky teatër do të vazhdojë pa pushim. Presim që TFF dhe organet e saj të bëjnë atë që duhet të bëjnë sonte për ta shkatërruar këtë sistem të ndotur, jo për të treguar mëshirë. Le të mos harrojnë se askush nuk është i pazëvendësueshëm”.

Tensionet mes dy gjigantëve të futbollit turk janë në kulm dhe gara për titullin kampion duket se nuk do të zhvillohet vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, mes akuzave të ndërsjella dhe një atmosfere gjithnjë e më të elektrizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close