Lojtarët e Fenerbahçes pësuan disfatën e parë në sezonin e ri të Superligës së Turqisë, pasi humbën në transfertë ndaj Konjasporit me rezultatin minimal 1-0 (0-0). Ndeshja në “Konya Buyuksehir Belediye Stadium” nuk dha shumë emocione, me mysafirët nga Stambolli që ishin inferior dhe humbën ndeshjen.

Në këtë takim nuk pati mundësi të luajë reprezentuesi i vendit, Ezgjan Alioski, i cili ishte në pankinë dhe nuk u aktivizua.
Problemet e Fenerbahçes nisën herët, pasi në minutën e 22-të mbetën me dhjetë lojtarë. Enner Valencia pati një duel verbal dhe pothuajse fizik me një mbrojtës kundërshtar, ndaj mori karton të kuq direkt. Kjo ndikoi në lojën e Fenerbahçes e cila u detyrua më shumë të mbrohej se sa të sulmojë. Në pjesën e dytë, forcat në fushë u barazuan, pasi Demirbag u përjashtua me karton të kuq pas nëntë minutash lojë pas pushimit.
Mirëpo, as kjo nuk mjaftoi që Fenerbahçe të luante më mirë dhe me siguri. Përkundrazi, ishte minuta e 66-të kur Muhamed Demir realizoi për epërsinë e Konjas, pas asistimit që mori nga Bitic. Deri në fund të ndeshjes nuk pati ndryshime në rezultat, kështu që Fenerbahçe pësoi humbjen e parë këtë sezon.

